Në një Londër të mbuluar nga mjegulla, çadrat dhe emocionet e mbetura pezull, Ori kthen në këngë çdo përjetim të saj. Mes sfidave personale, dhimbjes së heshtur dhe ëndrrave që nuk zbehen kurrë, ajo vjen me një baladë të re që është më shumë se një këngë, është një rrëfim i zemrës që ka mësuar të shërohet duke kënduar. Në këtë intervistë intime, Ori na fton të zbulojmë çfarë fshihet pas tingujve të saj, në një udhëtim ku fjalët, muzika dhe shpirti bëhen një!
Ori, një baladë e re po vjen. A është më shumë një letër dashurie, një rrëfim i dhimbshëm apo një “mesazh zanor” që s’e pate guximin ta dërgosh?
Është një rrëfim i një përjetimi të dy viteve të fundit, veçanërisht i vitit të kaluar, ku kam kaluar një traumë shumë të madhe. Është një histori e dhimbjes dhe sfidave, e ndjerë thellë në tingujt që përçon balada.

Shpesh baladat lindin nga zemra e thyer. Të jesh ti ajo që e ke thyer apo ajo që është thyer, a ndjen ndryshim në tinguj?
Po, ndjesia është krejtësisht tjetër kur je ti ajo që je thyer. Të gjitha ndjesitë e mia të këtyre përjetimeve shfaqen në mënyrë shumë të sinqertë në tinguj.
Po të ishte një film, balada jote do ishte një dramë e thellë, një komedi romantike me lot, apo një dokumentar për dashuritë që nuk ndodhin kurrë në kohën e duhur?
Do ishte padyshim një dramë e thellë me shumë dhimbje dhe sfida.

Londra ka mjegull, çadra dhe artistë me shpirt rebel ku e vë veten Ori mes kësaj tabloje?
Londra është një vend ku jeta është shumë agresive, njerëzit janë të ftohtë dhe sfidat të shumta. Unë përpiqem të jem ajo që dua të jem, duke balancuar gjithçka që më rrethon pa u ndikuar nga realiteti i ashpër perëndimor.
Po të kishe një superfuqi në skenë, cila do doje të ishte?
Do doja të kisha superfuqinë të lexoja mendjen e njerëzve, të kuptoja sa realiste janë ndjenjat e tyre, me sa dashuri i bëjnë gjërat dhe pse jo, të dija se sa më duan, qoftë publiku, qoftë njerëzit më të afërt.
A të ka ndodhur ndonjëherë të harrosh tekstin në mes të performancës? Si e ke shpëtuar situatën?
Për fat të mirë, kam aftësinë të krijoj tekst edhe në moment, duke improvizuar natyrshëm në mënyrë që të dalë një punë shumë e mirë në fund. Jam shumë e lumtur për këtë dhunti.

Nëse do të shkruaje një këngë për jetën tënde në Londër, cili do ishte titulli? (“Çadrat e shpirtit” apo “Trafiku i emocioneve”?)
“Çadrat e shpirtit” do ishte një titull perfekt, sepse gjatë qëndrimit tim këtu, ato çadra kanë mbuluar shumë kova sfidash, dhimbjesh dhe ftohtësie emocionale.
Më tej në horizontin e Orit ka…
Më shumë muzikë të ndjerë, përjetime të kthyer në art dhe sfida të reja që dua t’i përballoj me të njëjtën forcë dhe ndjenjë si gjithmonë.