Ulqini u bë mbrëmjen e kësaj fundjave qendra e artit, kulturës dhe vlerave kombëtare, teksa u zhvillua spektakli madhështor “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, një homazh artistik kushtuar figurës së shenjtë shqiptare që me veprën dhe misionin e saj human ka frymëzuar breza të tërë në mbarë globin.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, mirëpriti me kënaqësi organizatorët, artistët, të ftuarit dhe publikun e shumtë që ndoqi këtë aktivitet të veçantë, duke vlerësuar rëndësinë e promovimit të figurave që përfaqësojnë identitetin, kulturën dhe vlerat më të mira të kombit shqiptar.

Spektakli solli në skenë interpretime artistike, muzikë, koreografi dhe momente emocionuese të frymëzuara nga jeta dhe vepra e Shën Terezës, duke përcjellë mesazhe dashurie, humanizmi, paqeje dhe shërbimi ndaj njerëzimit.

Në këtë mbrëmje të veçantë morën pjesë personalitete të jetës publike, përfaqësues institucionesh, artistë dhe qytetarë, të cilët duartrokitën performancat dhe mesazhin e fuqishëm që përcolli aktiviteti.

“Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” u shndërrua në një festë të vlerave shpirtërore dhe kombëtare, duke rikujtuar se trashëgimia e saj vazhdon të mbetet një burim frymëzimi për shqiptarët kudo që ndodhen dhe për mbarë njerëzimin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here