Selvi Beçaj: Kur dikush është i kënaqur me veten, dashuron mbarë njerëzimin

Selvi Beçaj vjen në këtë intervistë si një grua me një rrugëtim të pasur mes diplomacisë, sfidave personale dhe reflektimeve të thella mbi jetën. Me një sinqeritet të rrallë, ajo ndan pengjet, zgjedhjet, forcën e brendshme dhe filozofinë e saj mbi suksesin, familjen dhe besimin.

-Selvi, nëse kthen kokën pas çfarë do ndryshoje nga kjo që je bërë sot?

-Shumë dhe asgjë. Jeta është destiny-fat në fakt. Miks ndjesish nëse mendoj. Pasion dhe dashuri kam pasur për arkitekturën, ekonominë dhe menaxhimin e biznesit (fitova dhe të drejtën për të studiuar në fakt, në konkursin e vitit 2002 për Universitet) dhe im atë u dëshpërua me mua që zgjodha Shkencat Politike. Ke zgjedhur Universitet pa profesion më ka thënë vazhdimisht. Sot i jap të drejtë dhe pse unë realisht e dua si profesion Diplomacinë, dhe diplomacia është një ndër kapitujt më të bukur të jetës sime, që më ka gdhendur e zhvilluar jashtëzakonisht si njeri. Por kur krahasoj diplomacinë dhe politikat në Shqipëri me diplomacinë në arenën ndërkombëtare, ndihem e vakët dhe thuajse e pashpresë ku po shkon Shqipëria.

Siç e ceka më sipër, arsyetimi kryesor i tim eti ishte: “Të duhet shkollë / formim me profesion në jetë. Diplomacia nuk është dhe nuk do konsiderohet profesion në Shqipëri për një kohë të gjatë. Nuk do vlerësohesh kurrë për atë që bën, atë që jep, pasionin, energjinë, profesionalizimin…” Ky mbase mund të konsiderohet një peng i imi. Do isha sipërmarrëse nëse do kisha kryer studimet në arkitekturë apo menaxhim biznesi, dhe pse e theksoj e dua fort diplomacinë, por lidhja e diplomacisë me politikën, jo gjithmonë është reale për pritshmëritë dhe investimin tënd.

Një tjetër peng jo i vogël në fakt është kandidimi im në 2017 në një parti të caktuar politike dhe i “shkatërrova vetes të ardhmen dhe vazhdimësinë e karrierës, duke më përkeqësuar vazhdimin dhe cilësinë e jetës.” Dëshira për t’i shërbyer vendit tim do kishte qenë më mirë të kisha kandiduar si deputete e pavarur dhe pa u përfshirë në parti politike, që për Shqipërinë nuk kanë realizuar atë që meriton vendi dhe populli ynë.

Gjithashtu peng në vendimmarrjet e mia të jetës, është edhe ILDKP (sot ILDKPKI). Kam ushtruar detyrën e Shefes së Kabinetit aty dhe është një tjetër kapitull që e dua fort dhe duhet të kisha qëndruar më gjatë, pasi sot mund të isha një prej inspektoreve dhe pse jo dhe Inspektorja e Përgjithshme me një mandat të caktuar. Ky institucion ka qenë për mua një sfidë e mirëfilltë profesionale dhe periudhën që kam punuar në të do e ruaj me fanatizëm, e pse jo me shpresën që mund të rikthehem në të ardhmen aty sërish.

-Cila ka qenë një ditë e zakonshme në karrierën tënde që u kthye në një moment që ndryshoi gjithçka?

-Një ditë e zakonshme pune, e mërkurë 15 Dhjetor 2010. Unë në atë kohë isha diplomate në Misionin e Përhershëm Diplomatik të Shqipërisë në Vjenë. Ambasador në atë kohë ishte z. Gilbert Galanxhi, që më duhet ta vlerësoj me superlativa për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij. Ne ishim në periudhën kur mbledhjet dhe “fushata” e liberalizimit të vizave zgjasnin me orë të tëra bisedimesh dhe negociatash të pafundme. Ai 15 Dhjetor, kur morëm lajmin e liberalizimit të vizave nga BE për Shqipërinë dhe shqiptarët, për mua ishte një moment që jo vetëm më ndryshoi gjithçka mua si Selvi në aspektin profesional dhe vetëbesimin, pasi edhe pse kishte kundërshti pa fund si brenda dhe jashtë Shqipërisë, kuptova se nëse e do diçka realisht dhe je këmbëngulës i ëndrrës tënde, nuk dorëzohesh në objektivin që i ke vënë vetes, gjithçka realizohet sado skeptik që të jesh. Dhe jo vetëm personalisht, por ndjeva një ndjenjë të bukur për gjithë nënat e përvëluara nga malli, gjithë ata prindër që kishin fëmijët e tyre emigrantë dhe kishin vite pa i parë për shkak të radhëve të gjata apo refuzimit të vizave, ajo ndarja për së gjalli e njerëzve, ishte një përmbushje fantastike shpirtërore, e takimeve mes njerëzve dhe mallit pa fund ndërmjet tyre.

-Një vendim që e more me zemër, jo me arsye, çfarë mësove prej tij?

-Kur pasi kreva maturën, studiova në Zug të Zvicrës 2001-2002, nuk ndoqa ëndrrën amerikane dhe pse arrita të fitoj të drejtën e studimit në një kolegj në California, USA dhe të drejtën e studimit me gjysmë burse në një universitet në Philadelphia, USA. Unë u ktheva në Shqipëri dhe nuk vazhdova më tej studimet në SHBA. Ky ishte një gabim fatal i imi dhe aty mësova dhe kuptova që zemra nuk duhet të marrë kurrë përparësi nëse nuk ka një lidhje të fortë e të shëndetshme me arsyen. Duhet të dominojë arsyeja në çdo rast edhe nëse ndërlidhet zemra. Por zemra dhe pasioni shpeshherë të hedhin në gabime, pasi jeta është e akullt dhe “jobujare” me zemrën tënde dhe zgjedhjet e saj.

-Në mes të presionit dhe angazhimeve, cili është sekreti për të qëndruar e qetë?

-Oh, nuk kam sekret dhe në të kaluarën në fakt e gjeja veten mes vrullit, tensionit dhe presionit për të bërë gjëra, të kryeja detyrime, angazhime dhe gjithçka që mendoja se duhet ta kisha nën kontroll dhe që duhet të isha një super njeri. Por që në fakt jo çdo gjë është nën kontrollin tënd dhe shpeshherë kjo të sjell frustrim me veten, tension, acarim dhe zhgënjime. Mendoj se, le të themi, sekreti për të qëndruar e qetë në situata me shumë angazhime është organizimi dhe mënyra si i qasem presionit. Mundohem të prioritizoj detyrat, të fokusohem tek ajo që ka më shumë rëndësi dhe të mos e mbingarkoj veten me gjëra që mund të presin. Paqja dhe mendja e kthjellët arrin shumë më tepër se tensioni dhe tendenca për të mbërthyer çdo gjë “nën kthetrat e tua” e për të kontrolluar gjithçka. Gjithashtu, ruaj qetësinë duke marrë pauza të shkurtra gjatë ditës dhe duke u fokusuar tek zgjidhja, jo tek stresi. Duhet të ketë një zgjidhje për çdo problem dhe të shtohen zgjidhjet mbi problemet. Kjo më ndihmon të jem më efikase dhe të marr vendime më të qarta.

-Një person që të ka frymëzuar në heshtje dhe askush nuk e di, por sot do i thuash dy fjalë falënderimi?

-Ky person që më frymëzon (në heshtje dhe në ditën për diell ) dhe nuk do reshtë kurrë së qeni ikona ime, është nëna ime, të cilën unë e quaj unike dhe hyjnore, por që unë nuk mundem kurrsesi të jem si ajo në këtë botë njerëzore. Ajo është utopike për këtë jetën tokësore. Unë ia dua dhe adhuroj unin asaj, por personalisht nuk mund dot të funksionoj në kultin e saj hyjnor në këtë botë-teatër tokësor. E megjithatë, e gjithë jeta e saj më frymëzon të jem çdo ditë një njeri më i mirë, që të mund të jem një fëmijë i denjë për të dhe të mund ta bëj krenare sado pak.

-Një gjë që zakonisht njerëzit nuk e perceptojnë për ty nga media apo prezantimet e tua, por që është thelbësore për ty?

-Nga jashtë dukem e qartë dhe e vendosur, por në të vërtetë e vlerësoj shumë mendimin e sinqertë dhe të vërtetë, ndjenjën e pastër e të çiltër. Në dukje jam e fortë dhe e kontrolluar, por në thelb i përjetoj gjërat thellë, shpeshherë më shumë se normalisht. Kjo ndjeshmëri më bën të reflektoj shumë dhe të ndikohem emocionalisht më tepër sesa duhet. Forca për të përballuar situata të vështira. Edhe kur kam pasur shqetësime gjithmonë kam vazhduar të eci përpara dhe kjo tregon një rezistencë që nuk mund të perceptohet nga jashtë. Besimi në vetvete dhe vetëkontrolli janë një armë e fortë që kam. Por analizat e pambarimta dhe ndjeshmëria emocionale dhe brishtësia e brendshme gati fëmijërore e çdo situate herë pas here më shndërrojnë në një fëmijë të “pambrojtur” që ka nevojë për shumë nga kjo botë, por që kurrë nuk i kërkoj dhe nuk i nxjerr në pah, qoftë dhe dëshirën për një përqafim p.sh.

-Një talent të fshehtë ose pasion që nuk e ke ndarë kurrë publikisht?

-Piktura, fashion design dhe fotografia. E bukura vizuale me pak fjalë. Me sytë e mendjes shoh ekspozita pikture apo fotografie, shoh atelie mode me designet e mia, por që deri tani nuk i kam dhënë rëndësinë e duhur dhe nuk i kam kushtuar kohën që meriton ky talent i brendshëm imi. Talentet janë që duhen shfrytëzuar në këtë jetë nëse ne kuptojmë që i kemi. Është humbje e një pjese të unit tënd nëse nuk i jep peshën e duhur, apo nuk i realizon dhe plotëson ëndrrat dhe pasionet me të cilat je bekuar në këtë jetë.

-Një zakon i vogël i përditshëm që të bën të ndihesh energjike dhe e lumtur?

-Zakone të vogla të përditshme janë disa. Por ajo që cilësohet si më thelbësore dhe që përmendet edhe në Kuran si sadaka dhe veshje e mirësjelljes dhe çelësi i zemrës së të tjerëve është buzëqeshja. Dhe në ditët e mia më të errëta, buzëqeshja ka qenë si një melhem i plagëve të mia.

Buzëqeshja është një gjest i thjeshtë, por me një ndikim të thellë në shpirtin e njeriut. Ajo nuk ka nevojë për pasuri, për fuqi apo për ndonjë përpjekje të madhe, por sjell ngrohtësi, dashuri dhe afërsi.

Në Kuran, buzëqeshja nuk është vetëm një veprim social, por një akt adhurimi, një formë sadakaje dhe një mënyrë për të ndërtuar vëllazërinë e sinqertë ndërmjet njerëzve. Shprehja e dashamirësisë dhe përhapja e pozitivitetit nëpërmjet një buzëqeshjeje të thjeshtë sjell aurë pozitive si tek ti dhe tek të tjerët, gjë që shmang shumë elemente negative vetvetiu. Pse të mrrolësh kur mund të buzëqeshësh dhe të përçosh pozitivitet?!

– Një eksperiencë që të ka ndryshuar perspektivën për jetën?

-Eksperienca që më ka ndryshuar rrënjësisht dhe thelbësisht shumë perspektivën për jetën është të qenit nënë e pesë fëmijëve, ndërkohë që kam menaxhuar edhe përgjegjësitë e përditshme. Ka pasur momente të vështira, lodhje dhe sfida, por asnjëherë nuk kam menduar të dorëzohem. Kjo eksperiencë më ka mësuar të jem e fortë, të organizoj kohën në mënyrë efikase dhe të gjej zgjidhje edhe kur gjithçka duket e vështirë, madje dhe e pamundur. Më ka bërë të kuptoj që kufijtë tanë janë shpesh më larg se sa mendojmë dhe që përkushtimi dhe dashuria të japin forcë për të përballuar çdo sfidë.

-Cili është libri që e ke lexuar më shumë se një herë dhe pse?

-Kur lexoj, jam e përfshirë totalisht në lexim, madje nënvizoj dhe bëj shumë shënime. Kjo sjell që librat nuk mundem dot t’i lexoj më shumë se një herë, por dhe për faktin se dua të lexoj libra të rinj dhe të zbuloj dimensione të tjera të reja nga libra të tjerë, për të pasuruar kështu botën shpirtërore sa më shumë të mundem. I rikthehem pjesëve apo frazave, nënvizimeve apo shënimeve, por një libër fillim-mbarim ta lexoj dy herë është thuajse e rrallë për mua. E megjithatë, libri që i jam rikthyer më shumë se një herë është “Tre shokët” e Remarkut. Kjo mbase për arsyen që ky ka qenë romani i mirëfilltë që bëri shkëputjen time nga leximet e një moshe fëmijërore tek leximet e botës reale të të rriturve.

-Si ka ndryshuar perceptimi yt për suksesin kur nise rrugëtimin tënd dhe tani?

-E pyetën një burrë të mençur: Sa vjeç je?!

Ai u përgjigj: Jam mirë me shëndet.

E pyetën, a ke para?!

Nuk i kam borxh njeriu – ishte përgjigjja rrufe e tij.

A ke armiq? – ishte pyetja e fundit që i bënë.

Përgjigjja e tij ishte: Banoj larg të afërmve dhe miqve të rremë.”

Në sferën personale jetësore, ky është sukses i mirëfilltë. Paqja shpirtërore dhe liria e shpirtit tënd janë thelbësore në perceptimin e suksesit në lidhje me botën. Kur dikush është i kënaqur me vetveten, dashuron mbarë njerëzimin. E sheh botën, jetën dhe njerëzit në dimension shumë solar. Sado i suksesshëm të jesh profesionalisht, nëse negativiteti dhe toksiciteti të rrethojnë, ti nuk arrin të ndihesh i plotësuar sado trofe, kupa apo çmime dhe suksese të korrësh në jetë. Dhe po, patjetër, deri në frymën e fundit do punoj për sukseset në rrugën e jetës sime dhe do lë veprat të flasin vetë duke qenë personalisht modeste me çdo gjë që bëj në këtë jetë.

-Cila është ajo gjë për të cilën je më krenare, por që rrallë e diskuton publikisht?

Në aspektin tokësor jam krenare me unin tim dhe që fjala “dorëzohem” nuk ekziston në asnjë kapitull të jetës sime deri më tani. Sido që më ka sprovuar jeta dhe më beso nuk i kam pasur të lehta sprovat, kam ecur me këmbëngulje përmes ferrit dhe i kam dhënë forcë e kurajë vetes për të dalë në krahun tjetër. “Aty diku ka dritë, ec, mos ndalo…” – i them vetes në heshtje. Sido që kam rënë, jam ringritur edhe më e fortë se më parë. Në aspektin hyjnor, lutja. Lutja është forca ime e brendshme, që më forcon në frikërat e mia më të kobshme. Hyjnoren, Perëndinë, e kam pasur gjithmonë “aty”, në çdo frymëmarrje timen.

-Sa ndikojnë fëmijët e tu në frymëzimin e librave që shkruan?

-Ata janë vetë frymëzimi i ditëve të mia për jetën. Janë në tërësi në indet e mia dhe unë rritem e rrugëtoj bashkë me ta. Mësoj shumë prej tyre dhe dua të jem një shembull i mirë për ta dhe të ardhmen e tyre.

-Çfarë vlere përpiqesh t’i përcjellësh më shumë fëmijëve?

-Të jesh njeri është titull, të tjerat janë profesione. Nuk do doja kurrë që fëmijët e mi të ishin shkaktarë që dikush t’i drejtohej Zotit kundër tyre. Përkundrazi, dua që fëmijët e mi të jenë bekim për njerëzit që do takojnë në jetët e tyre.

-A mendon se ndonjëri prej tyre mund të ndjekë rrugën tënde në letërsi?

-Ata të pestë kanë një botë dhe një brendësi shumë të bukur… Mendoj që talentin e të shkruarit e kanë sidomos dy prej vajzave të mia. Ndërsa dy djemtë kanë ambicie të jenë futbollistë si Messi dhe Ronaldo.

-Çfarë ka fundi në fund…?

-Fundi? Në fund duhet të ketë bekim. Bekim dhe vepra të mira të një emri që vlen. Kur mos të ekzistojmë më fizikisht në këtë botë, do jenë veprat tona që do flasin për ne. Sa më shumë dhe sa më të vyera të jenë ato, aq më shumë do frymëzojnë brezat dhe do lënë pas një ndjesi të bukur. Nëse veprat kanë qenë të mbushura me ego dhe vlera të paplota, çdo investim shkon në boshllëk. Bukuria e njeriut rrezatohet nga bukuria e shpirtit. Një shpirt i bukur jeton në paqe dhe largohet nga kjo botë lehtë, si një pendë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here