
Në një skenë ku bukuria, arti dhe pasioni bashkohen në një garë të një niveli të lartë profesional, Dava Zefi konfirmon edhe njëherë se është një nga emrat më të spikatur të fushës së stilimit të flokëve dhe make up-it shqiptar. Në eventin ndërkombëtar “Global Fashion Progres” të zhvilluar në Napoli, Itali, ku morën pjesë 15 shtete nga e gjithë bota, ajo arriti të fitojë çmimin e parë në kategorinë e stilimit të flokëve, një arritje që dëshmon për talentin, përkushtimin dhe shpirtin e saj artistik.

“Nuk e prisja këtë rezultat, sepse konkurenca ishte shumë e fortë. Të gjithë ishin profesionistë të nivelit të lartë. Por kur dëgjova emrin tim për vendin e parë, emocionet ishin të papërshkrueshme. U ndjeva e lumtur dhe e vlerësuar.” – rrëfen Dava me një buzëqeshje që tregon gjithë krenarinë e një pune të bërë me shpirt.
Për të, pjesëmarrja në ngjarje të tilla nuk është thjesht një garë, por një rrugëtim i vazhdueshëm zhvillimi profesional dhe shpirtëror. Dava në çdo garë apo sfidë është vlerësuar gjithmonë, por këtë herë mori çmimin e parë jashtë vendit duke përfaqësuar Shqiperinë në një garë ndërkombëtare.
“Këto evente kanë shumë rëndësi për mua, sepse çdo herë tregoj më shumë nga aftësitë e mia dhe sfidoj veten. Puna ime është në shpirt e në gjak. Në eventet e ardhshme do të prezantohem me diçka ndryshe nga herët e tjera, por këtë do ta zbuloj në vazhdim,” – shton ajo me një premtim për surpriza të reja.
Fitorja në Napoli është për Dava Zefin një moment krenarie, por mbi të gjitha, një dedikim për familjen.


“Këtë arritje ia dedikoj familjes sime, që ka qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe. Por dua të veçoj motrën time Antonetën, me të cilën e nisa këtë profesion. Kaluam sfida të vështira deri sa ndërtuam një klientelë të rregullt. Sot ajo jeton jashtë vendit, në Francë, për një të ardhme më të mirë, por zemra ime është gjithmonë me të. Po ashtu falënderoj motrën tjetër, Diellën, e cila është pranë meje në çdo hap. Ajo është forca ime në përditshmëri dhe meriton gjithë mirënjohjen time.”
Në çdo fjalë të saj ndien se suksesi nuk është rastësi. Është përzierje pasioni, pune, sakrifice dhe dashurie për artin e së bukurës.
Me shpirtin krijues që e karakterizon, Dava Zefi vazhdon të ngjitet në skenën ndërkombëtare si një ambasadore e bukurisë shqiptare, duke dëshmuar se arti, kur bëhet me zemër, nuk njeh kufij.








