Në botën e bukurisë, ku çdo detaj ka peshë dhe çdo penelë mund të ndryshojë mënyrën si një grua e sheh veten, Dorina Beci ka ndërtuar një emër që flet për finesë, profesionalizëm dhe pasion.
Me mbi 10 vite eksperiencë si make up artiste, ajo ka arritur të përfaqësojë Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, duke u vlerësuar me vendin e dytë në eventin “Global Fashion Progress” në Napoli, ku morën pjesë profesionistë nga 15 shtete të ndryshme të botës. Sot, ajo na rrëfen më shumë për rrugëtimin e saj, frymëzimin pas çdo vepre bukurie dhe ndjesinë që i jep arti i transformimit.

-Dorina, si nisi udhëtimi yt me make up-in? Ishte dashuri me shikim të parë apo diçka që u zbulua me kohën?
-Që fëmijë më pëlqenin ngjyrat, lëvizjet e dritës në lëkurë, mënyrën si ndryshon fytyra kur preket me kujdes. Fillimisht ishte një lojë, por më pas u bë pasion që s’munda ta ndaloj. Kuptova se përmes make up-it mund të shpreh ndjesi, jo thjesht të krijoj bukuri.

-Ke mbi një dekadë eksperiencë në këtë fushë. Si ka ndryshuar arti i make up-it gjatë viteve?
Shumë. Dikur kërkohej perfeksioni, tani kërkohet natyrshmëria. Një make up i mirë nuk është ai që e fsheh fytyrën, por që e ndriçon atë.Teknologjia, produktet, teknikat, të gjitha kanë evoluar, por më e rëndësishmja është që gratë kanë filluar ta shohin make up-in si një formë vetëbesimi, jo si maskë.

-Fitove vendin e dytë në “Global Fashion Progress” në Napoli, si ishte ajo përvojë për ty?
-E paharrueshme. Ishte një garë me profesionistë nga 15 shtete të botës, një skenë ku çdo detaj vlerësohej. Për mua, ajo nuk ishte thjesht garë, por provë e pasionit tim. Kur u shpallën rezultatet, u ndjeva e vlerësuar, por edhe krenare që mbaja emrin e Shqipërisë atje.

-Ke vite që punon dhe përpiqesh për suksesin tënd. Si ka qenë ky rrugëtim deri tek “Beauty Dori Salon”?
-Ka qenë një rrugëtim me shumë punë, net pa gjumë dhe dashuri të madhe për atë që bëj. Asgjë s’më ka ardhur lehtë, por çdo hap ka qenë i merituar. “Beauty Dori Salon” është realizimi i një ëndrre që ka nisur shumë vite më parë, një hapësirë ku çdo grua ndjehet e veçantë, e bukur dhe e dëgjuar.

-E sheh make up-in si profesion apo si pasion?
-E shoh si një pasion të kthyer në profesion. Nuk kam ndjekur kurrë thjesht rrugën e punës, kam ndjekur emocionin. Çdo ditë që punoj, ndjej të njëjtën dashuri si ditën e parë. Është një ndjesi që më jep energji, kreativitet dhe dëshirë për t’u përmirësuar çdo ditë.

-Cili është sekreti i suksesit tënd në këtë rrugëtim?
-Dashuria për atë që bëj. Pa pasion, as talenti dhe as përvoja nuk mjaftojnë. Çdo fytyrë që prek është një përgjegjësi, por edhe një privilegj. Për mua, ky profesion është një mënyrë për të dhënë dritë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here