
Në qytetin historik të Vushtrrisë, arti u rikthye si një festë ngjyrash dhe emocionesh gjatë Kolonisë Mbarëkombëtare të Artit “Muaji i Pikturës – 2025”, Edicioni i VII-të.

Kjo ngjarje, e cila mblodhi së bashku artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, krijoi një hapësirë të gjallë krijimtarie ku tradita dhe moderniteti u ndërthurën natyrshëm, duke frymëzuar si artistët ashtu edhe publikun. Vushtrria u shndërrua në një skenë të hapur arti, ku çdo penelatë ishte dëshmi e shpirtit të përbashkët kulturor shqiptar.
Në këtë atmosferë të pasur, pjesëmarrja e artistes shqiptare Anila Hetoja u shqua si një prej momenteve më domethënëse të edicionit. E njohur për filozofinë e saj të veçantë të artit, ku ndjeshmëria, struktura dhe ngjyra bëhen një gjuhë e brendshme emocionale, Anila solli në Vushtrri një energji të veçantë krijuese dhe një qasje bashkëkohore ndaj artit figurativ. Prania e saj u përjetua si një bosht i natyrshëm lidhës mes artistëve nga të gjitha trojet shqiptare, duke reflektuar identitetin dhe kulturën që i bashkon.


Kolonia nisi me një jehonë të fortë krijuese, ku fillimisht e morën fjalën ngjyrat e rinisë, nxënësit e talentuar të Gjimnazit “Eqrem Çabej”, të cilët dhanë jetë mureve të Kalasë së Vushtrrisë. Në ditët në vijim, mbi 40 artistë profesionistë, përfshirë edhe Anilën, eksploruan trashëgiminë kulturore të qytetit, duke u frymëzuar nga monumentet historike dhe shpirti i lashtë i këtij vendi. Kulmi i krijimtarisë erdhi të shtunën, kur pranë Kalasë, artistët punuan në ambient të hapur, duke i dhënë jetë një tabloje të përbashkët që fliste me gjuhën universale të artit.




Edicioni i VII-të i “Muajit të Pikturës” u veçua edhe për kahun mbarëkombëtar, duke evidencuar bashkimin kulturor, diversitetin stilistik dhe fuqinë e bashkëpunimit mes artistëve të brezave të ndryshëm. Në këtë kuadër, pjesëmarrja e artistes Anila Hetoja ishte kontribut i çmuar, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë simbolik sepse ajo përfaqësoi dinjitetshëm artin shqiptar, duke sjellë me vete përvojë, vizion dhe një dialog të gjallë artistik.
Organizimi i këtij edicioni mbajti firmën e artistit Mass Sam, Shoqatës së Artistëve Figurativë të Vushtrrisë dhe OJQ “VICIANA 2019”, të cilët krijuan një platformë ku arti jo vetëm u shijua, por u ndje, u jetua dhe u përjetësua si pjesë e memorjes kulturore të qytetit. Ekspozita përmbyllëse, e cila u mbajt më 2 nëntor në Galerinë e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, prezantoi veprat e realizuara gjatë ditëve të kolonisë, një mozaik i pasur emocionesh, ndjenjash dhe reflektimesh.



“Muaji i Pikturës – 2025” dëshmoi se arti është bosht, frymë dhe zë. Dhe mes këtij zëri të madh mbarëkombëtar, tingëlloi fuqishëm zëri i Anilës, duke nderuar Shqipërinë dhe fuqizuar mesazhin se arti nuk njeh kufij ai bashkon zemrat, ringjall identitetin dhe lartëson shpirtin.







