Kur estetika bëhet terapi, filozofia e bukurisë e shprehur në Masterclass-et e saj.
Në epokën që po jetojmë, ku bukuria shpesh filtrohet, idealizohet dhe imponohet, Kleona Qosja zgjedh të punojë me estetikën dhe kujdesin e lëkurës. Ajo e lexon si një histori, e trajton si një proces dhe e shndërron në një bukuri që nuk kërkon vërtetim. Si eksperte e kujdesit profesional dhe themeluese e Éclat De Beauté, Kleona vjen në Shkodër me një mision të qartë, të rikthejë kuptimin e bukurisë së vërtetë, asaj që është teknikë, shkencë, art dhe mbi të gjitha kujdes ndaj vetes. Më 6–7 dhjetor, në bashkëpunim me Afrodite Academy, ajo është pjesë e masterclass-it “Beauty Pro” në Shkodër, për ti dhënë hapësirë profesionistëve të bukurisë të mësojnë, të zbulojnë, por më shumë se kaq… të kuptojnë.

Sipas Kleonës, bukuria nuk është ajo që krijon vetëm me duar, është ajo që zgjedh të mos e dëmtojë.
Kleona, çfarë e solli momentin e parë “ky është profesioni im” në botën e bukurisë?
Ka qenë një ndjesi shumë e pastër. Një kombinim i talentit instiktiv për detajet dhe një dëshire të brendshme për t’i dhënë njerëzve qetësi, përkujdesje dhe një lloj rikthimi tek vetja. Nuk ishte as një njeri i vetëm, as një kurs i vetëm… ishte një thirrje nga brenda meje.
Çfarë ke mësuar më shumë nga trajnimet që ke ndjekur apo nga klientët që ke trajtuar?
Trajnimet më dhanë teknikën. Klientët më mësuan njeriun. E vërteta është se profesionalizmi formohet aty ku këto dy botë takohen.
-Masterclass-i “Beauty Pro” vjen në Shkodër. Çfarë ka unike Shkodra si publik profesional, që të bindi të mbash trajnimin tënd modern pikërisht aty?
Sepse Shkodra ka atë lloj harmonie ku bukuria dhe arti takohen natyrshëm. Profesionistët atje kanë një sy të mprehtë dhe një zemër të hapur, dhe kjo e bën skenën perfekte për të ndarë diçka moderne dhe të thellë.
Çfarë dëshiron që profesionistët të marrin përtej teknikës?
Vetëbesim. Qartësi. Aftësinë për të parë lëkurën si histori, jo si sipërfaqe. Ky është arti i vërtetë.
Në janar do të mbash një masterclass tëndin online. Pse u drejtove drejt online-it?
Sepse shumë profesionistë duan të mësojnë(ashtu sic kam bere edhe une) por nuk kanë mundësi të udhëtojnë. Doja t’i sillja eksperiencën time kudo, pa humbur thelbin. Dua që edhe nga ekrani të marrin ndjesinë e prezencës sime reale.
A mund të mësohet arti i bukurisë online?
Po, nëse trajneri di ta japë. Teknikat po; ndjeshmëria kërkon vëmendje, vullnet dhe ushtrim. Ekrani s’e eliminon dot pasionin.
Nëse bukuria do të kishte një zë, çfarë do të të thoshte?
Të lutem, mos më filtro. Thjesht më dëgjo!
Kur një trajtim bëhet terapi emocionale?
Kur sytë e klientit ndryshojnë para pasqyrës. Ndonjëherë prekem më shumë nga ajo që nuk thonë. Po, shpesh punoj me shpirtin e tyre.
Çfarë të tregon lëkura e një personi që ai vetë nuk e thotë?
Stresin, lodhjen, harrimin e vetes. Lëkura rrallë gënjen!
Cili është gabimi më i shpeshtë i estetistëve sot?
Ngutin rezultatin. Bukuria nuk është “fast service”, ka ritmin e vet.
Pse “Éclat De Beauté”?
Sepse doja një emër që të përkthente dritë, finesë dhe delikatesë, atë shkëlqimin e brendshëm që unë besoj se ka secili.


A synon më shumë bukurinë që duket apo atë që ndihet?
Ajo që ndihet, sepse kur ndihet bukur duket automatikisht.
Në epokën e filtrave dhe idealeve artificiale, e ke më të vështirë të krijosh bukuri, apo të mbrosh atë natyrale që ekziston?
Sot është më e vështirë ta mbrosh. Filtrat kanë krijuar standarde që nuk ekzistojnë realisht. Do eliminoja idenë që bukuria duhet të duket njësoj për të gjithë. Perfeksioni është illusion, diversiteti është art.
Cili është sekreti yt personal?
Masazh 3-minutësh çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje. Bën mrekulli.
Një këshillë për profesionistët e rinj? Cili ëahtë miti më i madh që duhet thyer?
Miti që duhet thyer “Do bëhem e zonja shpejt.” Kjo është një rrugë e gjatë, e bukur, por kërkon durim dhe shumë praktikë.








