Nga MagNews.al/ Intervistë reflektuese mbi jetën, profesionin dhe synimet e vitit të ri
Në këtë intervistë të parë për MagNews.al në këtë fillimviti, Edmira Karajani vjen ndryshe, e sinqertë, e drejtpërdrejtë dhe thellësisht reflektuese. Një bisedë që prek gruan përtej profesionit dhe njeriun përtej ambicies. Edmira është një nga ato gra që i japin kuptim fjalës “forcë”. Një shqiptare që punon si Specialiste e flebotomisë dhe kanulimit, si edhe shkencëtare biomjekësore(Flebotomy and Cannulation Specialist/ Biomedical Scientist) në një nga spitalet më në zë atje, është e specializuar në disa drejtime mjekësore, Edmira ka ndërtuar me përkushtim rrugën e saj profesionale dhe jetën familjare.
Pas një rrugëtimi të gjatë profesional mes emigrimit, sakrificave dhe arritjeve, ajo ndalet për të folur jo vetëm për suksesin, por për paqen, shëndetin dhe zgjedhjet që sot nuk i negocion më.
-Edmira vjen për herë të parë në MagNews.al. Dimë që je e realizuar profesionalisht, por pas gjithë këtij rrugëtimi, çfarë është ajo gjë që sot nuk do ta sakrifikoje më kurrë, as për karrierën dhe as për suksesin?
E vetmja gjë që nuk do ta sakrifikoja për asgjë është shëndeti. Ka pasur momente kur kam qenë keq nga ana shëndetësore dhe nuk ia tregoja askujt, sepse nuk më pëlqen shprehja “o sa gjynah”. Kam qenë shumë e lodhur duke ndjekur ëndrrat e mia, duke punuar fort për të arritur një nivel në profesionin tim, saqë lashë mënjanë shëndetin duke thënë gjithmonë “jo tani, më vonë”. Derisa kuptova se karriera pret, kurse shëndeti jo.


-A ka ardhur një moment kur ke ndjerë me qetësi: “Tani jam aty ku duhet të jem”, jo si profesioniste, por si njeri?
Jam njeri që nuk më pëlqen t’i lë gjërat pas dore dhe shpesh e stresoj veten sepse dua që çdo gjë ta bëj korrekt. Viti 2026 ia kam premtuar vetes që do t’i jap paqe dhe qetësi, do ta lejoj veten të dashurohet dhe t’i jap një pushim nga jeta ku kam punuar si mashkull dhe kam jetuar si femër. Jo, këtë vit dua të punoj si femër dhe të jetoj si femër, pa limite.
-Trinomi Edmira–puna–familja, si balancohet?
Kjo është një pjesë që as vetë nuk e di sa gjëra bëj në ditë. Zgjohem në orën 6 dhe e shikoj orën kur kthehem në shtëpi rreth 22:30. Dita ime është “full”. Mundohem t’i shijoj të gjitha pa munguar në prezencën time te karriera, te fëmijët e mi, të jem bijë, motër, kunatë, hallë, mbesë. Por këtë vit dua t’i jap shumë dashuri dhe përkushtim vetes time, lirinë për të shijuar gjithçka që kam ndërtuar vetë.
-Si ka ndryshuar mënyra se si e përkufizon sot suksesin, krahasuar me vitet e para të emigrimit?
Çdo sukses në jetën time e kam përjetuar si një fëmijë që merr një dhuratë. Sot them: e meritoj. Jam një femër që shkel me këmbë në tokë dhe një njeri i thjeshtë. Thjeshtësia dhe mirësia janë mbretërore. Në Angli ka qenë edhe më e vështirë se në Greqi: nuk e njihja vendin, nuk dija nga t’ia nisja. I mësova të gjitha vetë, me besim te vetja, duke kapërcyer çdo pengesë. Për mua është një medalje personale fakti që për 5 vite realizova këtë grua që jam sot, në një shtet si Britania e Madhe.
-A mendon se përvoja jote profesionale të ka bërë më të fortë apo më të ndjeshme ndaj njerëzve?
Më ka bërë më të fortë dhe më falënderuese ndaj Edmirës që jam sot. Këto pesë vite përballje me shumë njerëz më kanë mësuar se jo çdokush meriton anën time emocionale. Kam mësuar të kontrolloj emocionet e mia.
-Në këtë fazë të jetës, çfarë do të thotë për ty të jesh një grua e realizuar?
Një dolli për atë grua që nuk pranon kurrë të dorëzohet dhe të mjaftohet me pak ndaj vetes. Vetëm 100% nga vetja e saj. Por mbi të gjitha, të mbetet njeri i thjeshtë, sepse çdo gjë e bëj për veten time, jo për të treguar forcë apo për t’u ndjerë më shumë se të tjerët.
-Çfarë të lodh më shumë sot, ngarkesa profesionale apo përgjegjësia emocionale e profesionit?
Asnjëra, sepse duhet të dish të komandosh limitet, njësoj si transaminazat apo hormonet që duhet të jenë në nivelin e duhur për të pasur shëndet të mirë.



-Çfarë po lë pas me mbylljen e këtij viti dhe çfarë merr me vete në vitin e ri?
Lë pas çdo lidhje dhe çdo gjë negative që vjen nga njerëz negativë. Me vete marr vetëm anën pozitive dhe veten time, por më të qetë dhe më të ngopur shpirtërisht.
-A ka një synim për vitin që sapo ka hyrë, që ka më shumë peshë shpirtërore sesa ambicie?
Surpriza të bukura jeta ka plot. Dua të jem më e qetë këtë vit, më shumë femër. Dua ta shijoj pak më shumë anën femërore dhe ta lë pak mënjanë pjesën “mashkullore” .
-Nëse viti i ri do të kishte një fjalë kyçe për ty, cila do të ishte ajo?
T’i them vetes: “Bravo që mbete ajo vajza e thjeshtë, me shpirt të pastër, që nuk ndjek pakicën, por cilësinë.”
-Çfarë dëshiron të ndryshosh në mënyrën si e jeton kohën tënde?
Më shumë kohë, qetësi, paqe, relaks. Më pak stres. Dua të fokusohem te Edmira-femër, ta lejoj veten të jetë edhe pak dembele, sepse e meriton pas kaq vitesh pune pa ndalim.
-A mendon se qetësia është dhuratë apo zgjedhje?
Dikur ka qenë e natyrshme. Sot është zgjedhje e përditshme. Ia kemi borxh vetes të zgjedhim qetësinë shpirtërore dhe mendore, sepse na ndihmon të bëjmë zgjedhjet e duhura.
-Çfarë të bën të ndihesh më shumë “në shtëpi”?
Nëse nuk kemi paqe me veten, as njerëzit dhe as shtëpia nuk mjaftojnë. Kur je në paqe me veten, gjithçka duket më e bukur. Kur je negativ, gjithçka të duket si re e zezë.
-Në fund, çfarë kërkon nga 2026-a, profesionalisht dhe personalisht?
Ky vit do të jetë viti im. Viti kur do ta lejoj veten ta shijojë jetën në maksimum, sepse ia kam borxh vetes. Dua qetësi, pa stres. Nëse vijnë surpriza të papritura, do t’i pres me mirësi. Kam nevojë të pushoj nga Edmira që punon si mashkull dhe harron që është edhe femër, që ka nevojë të dashurohet dhe të ndjejë ngrohtësinë e një mashkulli të vërtetë. Mjaft më… busy







