“Vajzat Dibrane”, është një kthim te origjina, te rrënjët dhe te kujtimet që formojnë identitetin e një artisti
Ka këngë që nuk janë thjesht melodi por një udhëtim emocional drejt historisë. E tillë është kënga më e re e Silvana Rusit, “Vajzat Dibrane”, një nderim i madh për vendlindjen e saj, Dibrën, për traditat, bukurinë dhe shpirtin e një krahine që ka nxjerrë ndër vite figura të shquara të artit dhe kulturës shqiptare.
Për Silvanën, “kjo këngë është më shumë se një projekt muzikor, është një kthim te origjina, te rrënjët dhe te kujtimet që formojnë identitetin e një artisti”. Me interpretimin e saj plot emocion, ajo sjell në vëmendje një dashuri të veçantë për vendin ku ka lindur dhe për vlerat që mbart Dibra.

“Isha me mamin, kur më tha: Bëj një këngë për ato vende atje. Kishim një koncert në Fushë-Pratë, vendi ku janë rritur motrat e mia. Ishte një kënaqësi dhe një nostalgji e madhe që do të këndoja pikërisht aty. Dhe kështu, në pak sekonda, lindi kënga…”-tha mes të tjerash Silvana…
E njohur për vokalin e saj të veçantë dhe për mënyrën autentike të interpretimit, Silvana Rusi ka ndërtuar ndër vite një profil artistik ku ndërthuren muzika moderne me dashurinë për traditën shqiptare. Repertori i saj përfshin këngë që kanë gjetur jehonë te publiku, ndërsa ajo vazhdon të dëshmojë se muzika me shpirt dhe identitet mbetet gjithmonë e bukur.
“Vajzat Dibrane” është një krijim ku Silvana Rusi ka sjellë jo vetëm zërin e saj, por edhe shpirtin e saj artistik. Teksti dhe melodia mbajnë firmën e vetë artistes, ndërsa aranxhimi është realizuar nga Adi Malaj. Në këtë projekt kanë kontribuar gjithashtu instrumentisti i flautit Armand Xhambazi, ndërsa kujdesi për pamjen e artistes është realizuar nga Beauty Center Linda ndërsa videoklipi është realizuar nga Çlirim Rusi.



Pikërisht kur tregu muzikor dominohet shpesh nga ritmet e momentit dhe projektet që harrohen shpejt, Silvana Rusi zgjedh të ecë në një rrugë tjetër, atë të këngës që mbart kujtesë, identitet dhe emocione të vërteta.
Me interpretimet e saj plot ndjenjë dhe profesionalizëm, ajo ka fituar respektin e publikut si në Shqipëri, ashtu edhe në skenat ku performon për komunitetin shqiptar jashtë vendit.
Projekti i saj më i ri është një dedikim i ndjerë për vendlindjen, një këngë që buron nga malli, kujtimet dhe krenaria për rrënjët. Përmes këtij realizimi, Silvana Rusi nuk i këndon thjesht një vendi, por njerëzve, traditave dhe emocioneve që e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë jetës. Është një himn i vogël dashurie për tokën ku fillon çdo histori.
Ky projekt vjen pas një periudhe të suksesshme artistike për këngëtaren. Në edicionin e 25-vjetorit të Këngës Magjike 2025, ajo mori pjesë me këngën “Ja ku jam”, një interpretim që u vlerësua për forcën emocionale, interpretimin vokal dhe paraqitjen skenike. Performanca e saj u konsiderua nga shumë ndjekës të festivalit si një nga momentet më të bukura të atij edicioni, ndërsa kënga e konsolidoi edhe më tej profilin e saj artistik.
Repertori i Silvana Rusit përfshin edhe projekte të tjera të njohura që kanë gjetur jehonë te publiku, si edhe bashkëpunimet me Adi Harizin në potpuri të muzikës qytetare shqiptare, të cilat kanë theksuar edhe një herë afërsinë e saj me muzikën tradicionale dhe aftësinë për ta sjellë atë me një frymë moderne.

Karriera e saj po ndërtohet hap pas hapi, larg idesë së flluskave të momentit dhe sa më pranë muzikës që mbetet. Pikërisht kjo e bën Silvana Rusin një nga artistet që nuk ndjek thjesht tendencat, por zgjedh të ndërtojë identitetin e saj mbi autenticitetin dhe respektin për kulturën shqiptare.
Nga këngët që i japin zë emocioneve personale, te ato që ruajnë kujtesën kolektive, Silvana Rusi ka zgjedhur një rrugëtim ku fjala, melodia dhe ndjenja ecin bashkë. Ajo nuk këndon vetëm për të qenë pjesë e skenës, por për të përcjellë histori, kujtime dhe emocione që lidhen me njerëzit.
Kënga e saj më e fundit “Vajzat dibrane” është një tjetër dëshmi e kësaj filozofie artistike. Me një interpretim të ndjerë dhe një mesazh që prek zemrën e çdo shqiptari, ajo na kujton se rrënjët nuk harrohen kurrë dhe se muzika ka fuqinë të na rikthejë gjithmonë aty ku ndihemi më shumë vetvetja.







