Me një zë të veçantë dhe një prezencë që ndërthur ndjeshmërinë me forcën, Albana Barçi vjen me një baladë që prek plagët e heshtura të shumë grave. “Kë po gënjen” nuk është thjesht një këngë dashurie e humbur, por një reflektim mbi zhgënjimin, realitetin dhe dinjitetin e gruas që edhe kur rrëzohet, di të ngrihet sërish. Në këtë intervistë, Albana flet për mesazhin e projektit, emocionin pas interpretimit dhe planet e saj artistike në vazhdim.

-Albana, “Kë po gënjen” është një titull që ngjall menjëherë kuriozitet. Kujt i drejtohet kjo pyetje në këngë, vetes, dikujt konkret apo një fenomeni më të gjerë në marrëdhënie?

– Pyetje shumë e fortë dhe e bukur. Që nga titulli “Kë po gënjen” është shprehur gjithçka. Kjo këngë nuk është për mua personalisht, por në përgjithësi për dikë që beson në dashuri, por zhgënjehet dhe kërkon qetësi për t’u larguar nga kjo gënjeshtër. Siç është fjala, realiteti është i hidhur, por mbetet realitet.

“Kë po gënjen” nuk ka të bëjë personalisht me mua, por me gruan, me femrën në përgjithësi. Për gra që janë të lidhura me një partner, mendojnë dhe dëshirojnë të krijojnë diçka të bukur në jetë dhe kur përballen me realitetin mbeten të zhgënjyera. Ato gra, kur përjetojnë këto zhgënjime, tërhiqen, mbyllen në vetvete dhe duan të qëndrojnë sa më larg kësaj dhimbjeje, për ta harruar dhe për ta jetuar jetën në mënyrën e tyre. Sidoqoftë, gruaja edhe pse bie, ngrihet sërish.

-Çfarë historie fshihet pas këtij projekti? Kush është marrë me realizimin e tij?

– Pas këtij projekti fshihet Aurel Thellimi, krijuesi i këngës, ishte ideja e tij për të bërë për mua një baladë dashurie, një humbje dashurie. Ai ishte i sigurt që kjo baladë do të prekte shumë zemra të lënduara.

Dhe në fakt, targeti i tij më përfshiu edhe mua. Edhe unë jam femër dhe si çdo femër tjetër kam pikat e mia të zhgënjimit në jetë. Rrallë ndodh që një grua të mos jetë zhgënjyer në jetë, megjithatë secila e përjeton në mënyrën e saj. Në një marrëdhënie është dashuria, investimi në kohë, përkushtim, dhe kur zhgënjehesh e nuk të kthehet sinqeriteti pas, është e pamundur të mos lëndohesh.

Teksti dhe muzika janë nga Aurel Thellimi, orkestrimi nga Mario Bregu. Ky organizim mes tyre solli këtë këngë kaq të bukur. Ishin të mendimit që balada jeton në kohë dhe në këtë pikë edhe unë isha shumë dakord me ta. Shpresoj të kem përcjellë mirë këtë mesazh përmes këngës sime.

-Në klip vihet re një atmosferë e fortë emocionale. Sa e rëndësishme ishte për ty që mesazhi të përcillej jo vetëm përmes zërit, por edhe përmes imazhit?

– Në fakt që në fillim, fjala “më prit pak” të rrënqeth shpirtin, sikur i lutesh. Sapo nisa ta këndoja, më përshkoi një ndjenjë trishtimi, por në të njëjtën kohë një ndjesi force ndaj figurës së gruas.

Kjo këngë të bën pjesë të sajën përmes tekstit, por edhe përmes interpretimit. Për mua ishte shumë e rëndësishme që emocionin ta përcillja jo vetëm me zë, por edhe me imazh, me gjuhën e trupit, me atmosferën që e rrethon projektin.

-Si e përshkruan evolucionin tënd artistik me këtë këngë? Çfarë sjell ndryshe Albana në këtë projekt krahasuar me publikimet e mëparshme?

– Krahasuar me projektet e tjera, këtë herë më karakterizon qetësia e fituar me kohën. Dhimbjen e përcjell me më shumë ndjeshmëri. Edhe simbolika e veshjes me ngjyrën e zezë ishte pjesë e këtij evolucioni, një reflektim i brendshëm, një pjekuri artistike.

-Albana, çfarë roli ka muzika në jetën tënde të përditshme? A është ajo një ndjesi që të shoqëron në çdo moment?

– Muzika, kënga mua më ka ndryshuar jetën. Unë zgjohem me muzikë në mendje dhe e dëgjoj gjatë gjithë kohës. Është pjesë e përditshmërisë sime, e mënyrës si mendoj dhe si ndjej. Mundohem të dhuroj buzëqeshje dhe pozitivitet tek njerëzit dhe këtë gjë ma sjell vetëm kënga.

-Ti thua që kënga të jep frymë dhe jetë. Çfarë do të thotë kjo për ty në planin personal dhe emocional?

– Unë këngën nuk do ta lë e as do ta ndaloj ndonjëherë. Më jep frymë, më jep jetë. A ndalohet fryma dhe jeta? Jo. Ja pra pse e dua këngën kaq shumë. Është pjesë e qenies sime, është energjia që më mban gjallë shpirtërisht.

-Sa e rëndësishme është për ty të përcjellësh buzëqeshje dhe pozitivitet përmes muzikës?

– Është shumë e rëndësishme për mua. Unë mundohem që përmes këngës të jap emocione të mira, të dhuroj dritë dhe pozitivitet. Kur shoh që njerëzit buzëqeshin apo ndihen më mirë falë muzikës sime, atëherë ndiej që kam arritur qëllimin tim.

-Sa e hapur je ndaj bashkëpunimeve dhe çfarë duhet të presë publiku nga projektet e tua të ardhshme?

– Sigurisht që po. Unë jam si “minë me sahat”. Edhe pse për të sjellë projekte të reja këngëtarët kanë nevojë për mbështetje, unë jam shumë këmbëngulëse dhe kur nis një projekt apo punë, e arrij pa diskutim. Bashkëpunime patjetër, me shumë kënaqësi. Jam e hapur për bashkëpunime. Nëse këtë herë erdha me baladë, kënga tjetër do të jetë natyra ime lozonjare e shprehur përmes muzikës, me veshjet që më karakterizojnë, me ngjyra dhe plot jetë. Dua që publiku të shohë energjinë time të plotë në projektet e ardhshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here